
Heshtja e vazhdueshme e tyre dhe punëtorë që nuk kanë ku të ankohen
Duhej të ishin mbrojtja e punonjësve në çdo institucion apo ndërmarrje private, por nuk ndodh kështu. Të vendosura si pjesë e administratës publike apo si drejtues në ndërmarrjet private, të ashtëquajtuara sindikata kanë harruar arsyen e ekzistencës së tyre. Megjithëse flitet për shkeljet që u bëhen punonjësve në çdo sektorë, këto organizma kanë humbur besimin ndaj anëtarëve të tyre, Nuk mbahet mend hera e fundit që ata folën apo protestuan.
Ankesat e punonjësve në sindikatat e tyre është më shumë “vetëvrasje” se zgjidhje e problemit. Në çdo rast, janë pikërisht drejtuesit e sindikatës që raportojnë individin që ngre shqetësimin sesa prezantimi i problemit dhe kërkesa për zgjidhjen e tyre. Sindikalzimi në fakt mund të të lërë krejtësisht pa punë, sepse duke mos gjetur mbështetjen dhe duke parë braktisjen e drejtuesve të tyre, kjo mënyrë reagimi nuk mund të zhvillohet.
Edhe pse ka sindikata që u marrin lekë anëtarëve të tyre edhe pa i pyetur nëpërmjet kuotizacionit, ndërsa nuk thonë asnjë fjalë për anëtarët e tyre, siç janë sindikata e arsimit apo e shendetësisë, nuk reagohet për të plotësuar nevojat e tyre krejt të ligjshme. Në pak ndërmarrje private ka sindikata të formuara, por ato drejtohen nga një përgjegjës që më shumë mbron pronarin se vetë punonjësit që përfaqson.
Kështu ka ndodhur edhe në Lezhë përgjatë këtyre viteve. Ka nisma për të kapur diçka nga mundësia që u jep pushteti, por për punonjës që diskriminohen, dhunohen apo keqtrajtohen nuk ka asnjë fjalë konkrete prej tyre. Mënyra më e mirë e sindikalzimit është unifikimi i qëndrimit të çdo punonjësi, pasi duke kërkuar të drejtën e tyre do të përfitojnë më shumë dhe do të bëjnë të pavlefshëm krerët e tyre që vazhdojnë të përfitojnë në kurriz të tyre.
