
Nuk përmbushet kontrata që bashkia ka nënshkruar me stacionet e plazhit
Fundjava që lamë pas ishte e ngrohtë. Temperaturat kalonin 25 gradë dhe dielli përvëlonte. Qytetarë të shumtë mernin rreze dhe shijonin ditën e bukur. Vizitorë nga Kosova dhe qytete të ndryshme kishin zgjedhur Shengjinin për fundjavën. Më të guximshmit nuk hezitonin të laheshin në det, ndërsa të tjerë si një ditë pikniku ishin ulur në rërë.
Gjithçka dukej bukur, por kur kalon përgjatë bregdetit mund të konstatosh me lehtësi mbeturina të hedhura apo grumbulluara. Pas verës gjithçka i kthehet rutimës dhe mos vëmendjes. Një grua ishte shtrirë në rërë dhe rrethohej nga mbeturinat. Dikush i kishte mbledhur dhe lënë aty në breg të detit. Askush nuk ishte kujtuar për të ndërhyrë dhe larguar. Ose ndoshta kanë menduar se ato nuk duhet të jënë aty!
Mbeturinat përgjatë bregdetit nuk pastrohen edhe në ditët me diell.
Të paktën kështu parashikon kontrata që kanë lidhur me Bashkinë e Lezhës operatorët turistik që kanë marrë në administrim hapsirat në plazhe. Detyrimi i tyre është që pastërtia të mbahet edhe jashtë sezonit veror. Këtë thotë kontrata, por kush e ndjek zbatimin e saj? Referuar pamjeve që i janë dërguar Lezha Press nga qytetarët që ishin në fundjavë në bregdetin e Shengjinit, papastërtitë janë të dukshme. Këtu bën përjashtim ndonjë operator që e ka kuptuar se pastëria e rërës edhe përtej sezonit është e rëndësishmë për të tërhequr klientë.
Njësia Administrative e Shengjinit është mbyllur në zyrën e saj dhe sheh nga facebook fotot që hidhen në rrjet nga faqja e bashkisë dhe ndoshta nga ajri gjithçka duket në rregull. Kontrolli i territorit nuk është fokus dhe këtë e vuan Shengjini. Të gjithë presin që turizmi i bregdetit të mos jetë thjesht tre muaj verë, por diçka më shumë. Për të dashur më shumë duhet që të ketë më shumë vemendje, më shumë angazhim dhe sigurisht qershia mbi tortë, përmbushje e detyrimeve që kanë institucionet lokale.
Në një kohë kur ka rritje të lëvizjes se qytetarëve drejt zonave turistike, qoftë edhe për një fundjavë, Shengjini si një destinacion i rëndësishëm meriton të ketë vëmendje. Mirëmbajtja e plazhit, infrastruktura në tërësi dhe rritja e sherbimeve janë detyrime që mund të sjellin flukse më të larta të vizitorëve. Po nëse në fundjavë, në bregdet gjen ende mbeturina, çfarë mund të pretendohet në ditë të tjera apo në rreshje shiu. Këtë shpjegim mund ta japë Njësia Administrative e Shengjinit dhe për këtë duhet të flasë edhe Bashkia e Lezhës, por me vepra dhe jo foto.
