
Kreu i demokratëve të Lezhës ngren pikëpyetjet.
Lezhjanët nuk shohin asnjë faturë energjie dhe kjo ndodh prej kohësh. Shqetësimin e ka përcjellur Kryetari i PD-së në Lezhe, z. Arben Ndoj. Sipas asaj që Ndoj shkruan në rrjetin e tij social, kjo është diçka e papranueshme megjithëse paguhet edhe për këtë sherbim. Ai thotë se nuk e di arsyen, por ky është një detyrim që OSSHEE ka ndaj klientëve të tij.
Kryedemokrati i Lezhës hedh dyshime që sipas tij lënë shije abuzimi ndërsa pritet që prej 1 nentorit të aplikohen tarifat e shtuara për abonentët që konsumojnë mbi 800 kw gjatë një muaji.
Lezha Press u interesua edhe pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë, të cilët kanë bërë të ditur se ky sherbim i është kontraktuar Postës Shqiptare, dhe se do të kërkohet shpjegim për mos kryerjen e sherbimit. Po sipas këtyre burimeve, fatura e energjisë është një shërbim që duhet të përmbushet dhe se do të ndjekin shqetësimin e ngritur.
Postimi i bërë nga Kryetari i PD-së Arben Ndoj
Ka disa muaj që në shkallën e pallatit ku unë jetoj nuk vijnë faturat e konsumit të energjisë elektrike.
Arsyen përse ndodh kjo unë nuk e di. Por di që OSHE e ka për detyrim të dërgojë tek çdo abonent faturën me leximin e sasisë së energjisë së konsumuar dhe pëllogaritjen e vlerës për t’u paguar.
Kjo duhet detyrimisht të ndodhë një herë në muaj.
Në kushtet, kur muajin e ardhshëm çmimi i energjisë pëson një rritje drastike, për familjarët që tejkalojnë sasinë mbi 800 Kilovat, mosdërgimi i faturave nga OSHE mund të jetë një shteg i madh për abuzime e mbifaturime për familjarët dhe bizneset.
