Connect with us

Aktualitet

Përrenjtë malor kërcënim për Lezhën

Klubi Ekologjik Lezhë: Duhet që të rritet ndërgjegjsimi dhe të ndërhyhet

Rruga nacionale Lezhë-Milot u bllokua të enjten e 19-janarit të vitit 2023 në afërsi të Spitenit të Njësisë Administrative Zejmen në Bashkinë e Lezhes.Shkak u bë përmbytja në disa vende e këtij aksi rrugor, nga vërshimi përrenjeve malor, pas reshjeve të dendura të shiut. Për këtë arsye shumë automjete u bllokuan në mes të ujit dhe lëvizja e tyre u vështërsua. Në të njëjtën kohë, dalja nga shtrati i përroit të Manatisë përmbyti 15 banesa në lagjet Lalm i Ri dhe Kodër Mulluri të Njësisë Administrative Kolsh në Bashkinë e Lezhës.

“Uji ka ardhur në mënyre të menjëhershme dhe kanalet dolen nga shtrati. Uji vërshoi në shtëpi dhe niveli ka qenë rreth 30 cm. Jam detyryar të dal në katin e dytë të banesës sëbashku me familjen duke pritur ujin që të largohet. Kjo llojë përmbytje nuk është parë prej 15 vitesh” thotë një banor i Lalmit te Ri. Familja Lekgjonaj në Manati të Lezhës përjetoi orë të vështira mëngjesin e 19-janarit. Ujërat e përrenjve malorë vërshuan mbi banesën e tyre që ndodhet rrëzë mali. Si pasojë mbingopjes së malit me ujëra, muri që kishin ndërtuar për tu mbrojtur u shemb pasi toka rrëshqiti. Për pasojë muri mbrojtës goditi shtëpinë e tyre duke i shkaktuar plasaritje.

“Kemi qënë në gjumë dhe dëgjuam një zhurmë të fortë sikur të ishte një shpërthim. Dolëm menjëherë jashtë dhe pamë që uji po kalonte përmes oborrit me rrjedhë shumë të fortë. Dolëm pas shtëpisë dhe aty konstatuam që ishte shkëputur muri që kishim ndërtuar për t’u mbrojtur nga rrëshqitja e tokë dhe kishte goditur shtëpinë – tha kryefamiljari Alfred Lekgjonaj.

Situata e krijuar shfaqi problemet

 

Reshjet e fundit të shiut nxorën edhe njëherë më pah rrezikun që paraqesin përrenjë malor në shumë zona të Lezhës. Dëmtimi i pritave malore dhe shpyllëzimi ndër vite i maleve është shkaku kryesor i vërshimit të këtyre ujërave në kohë reshjesh e që po sjellin përmbytje.

 

“Para viteve 90’, këtu në malin e Manatisë, ka patur 4 prita malore. Sot nuk është asnjë e po ashtu është dëmtuar plotësisht dhe bimësia në mal. Eshtë i gjithë pylli i zhveshur sepse është djegur dhe dëmtuar. Sa herë ka reshje shiu, uji vërshon frikshëm. Nga kjo situatë jemi shumë të rrezikuar nëse nuk do merren masa” – thotë Alfred Lekgjonaj.

Specialisti i Mjedisit, njëherazi dhe drejtues i Klubit Ekologjik në Lezhë, z. Zef Imeraj, thotë se dëmtimi i pyjeve dhe pritave malore janë shkaku kryesor i përmbytjeve të fundit në Lezhë. Nga kjo situate, uji nuk pati pengesa dhe vërshoi në mënyre të menjëhershme.

 

“Pas vitëve 1968 janë ndertuar mbi 97 prita malore, ndërhyrje të cilat për periudhen kanë ndikuar pozitivisht në uljen e gërryerjes së tokës dhe për rrjedhojë edhe në parandalimin e përmbytjeve në shumë zona të Lezhës. Pylli është rregullatori më i mirë i rrjedhjes ujore dhe mbrojtësi me i mire i tokës nga gërryerjet kur ka gjendje sivikulturore të mirë dhe një shkallë mbulimi të plotë. Sot, nuk kemi asnjë pritë malore efektive, e po kështu pyjet janë zhveshur nga bimësia. Kjo ka bërë që në kohë reshjesh, ujërat malor të vërshojnë lirisht pasi nuk kanë pengesa. Kjo situatë është kthyer në shqetësim serioz për shumë zona të Lezhës dhe është shkaku kryesor i përmbytjeve” -thotë Imeraj

Çfarë prezantojnë ekspertët dhe studimet

 

Në kuadër të projektit “Rrjetëzimi dhe Advokim për Aksione Komunitare të Ruajtjes së Burimeve Natyrore Lokale”, me mbështetjen financiare të Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC, në bashkëpunim me organizatën partnere Klubi Ekologjik Lezhë është bërë verifikimi i situatës në terren dhe është dalë në konkluzionin se duhet marrë në konsideratë studimi i akademisë së shkencave që është bërë në vitin 2005-së, pasi ndikon ndjëshëm në minimizimin e përmbytjeve.

 

Sipas Imerajt në vitet 2000- 2005, nën drejtimin e Akademisë së Shkencave, u krye një studim ku u parashikuan ndërhyrje në veprat hidro-energjitike dhe riparimin e 300 pritave malore. Për mbrojtjen e vegjetacionit dhe shtimin e tyre në këtë studim është parashikuar që të realizohet pyllëzimi i 250-300 hektarëve. Nëse do bëheshin këto ndërhyrje – shton Imeraj, do të ulej deri në 30% mundësia e vërshimeve për të paktën 15 vite. Ky studim duhet të merret në konsideratë dhe të zbatohet nga autoritet pëgjegjëse me qëllim që ti jepet zgjidhje problemit të përmbytjeve.

Bashkia e Lezhës merr në konsideratë sugjerimet e KEL

 

Bashkia e Lezhës ka bërë të ditur se gjatë 3 viteve të fundit janë pastruar rreth 400 km kanale kulluese, punë e cila ka dhënë ndikim në minimizimin e përmbytjeve në zonat fushore. Për të ndikuar edhe më shumë tashmë vemendja është përqëndruar në idenifikimin e problematikave që po shfaqin përrenjtë malor.

 

“Në një hark kohor të shkurter gjatë muajit janar kanë rënë rreth 70 mm shi, në një territor të kufizuar në qytetin e Lezhës dhe Njesitë Kolsh e Zejmen. Ka patur prurje të jashtëzakonshme nga përrenjë malor, duke na sjellë një sërë problematikash. Po identifikohen të gjitha problemet që janë shfaqur në mënyrë që në të ardhmen të hartohet një projekt dhe realizohen ndërhyrje për ti dhënë zgjidhje njëherë e mirë problemit të përmbytjeve. Përrenjtë malor janë edhe problematika më e madhe duke u kthyer në kërcënim.

Ndërkohë, Bashkia Lezhë ka nisur dhe një fushatë pyllëzimi në zonat më problematike, ku vetëm gjatë vitit 2022 janë mbjellur 8 mijë fidanë të llojëve të ndryshme. Në lidhje me këtë nevojë të identifikuar dhe prezantuar për administratën e Bashkisë Lezhë gjatë projektit “Rrjetëzimi dhe Advokim për Aksione Komunitare të Ruajtjes së Burimeve Natyrore Lokale”, me mbështetjen financiare të LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC, në bashkëpunim me organizatën partnere Klubi Ekologjik Lezhë, Pergjegjësi i Sektorit të Pyjeve në Bashkinë e Lezhës, z. Artan Palushi ka bërë të ditur se tashmë janë njohur edhe me gjetjet e prezantuara nga Klubi Ekologjik Lezhë dhe për këtë arsye kanë ndërhyre duke mbjellë 8 mijë fidanë të llojeve të ndryshme. Ai pranon se pyjet janë dëmtuar shumë vitet e fundit dhe është e nevojshme rigjenerimi i këtyre sipërfaqeve pyjore, si një mënyre për t’u mbrojtur nga erozioni dhe përmbytjet.

More in Aktualitet