Connect with us

Aktualitet

Lumi Drin në Lezhë një rrezik që duhet shmangur

Ekspertët e KEL: Një rrezik për përmbytje, ndotje dhe prishjen e sistemit lagunor Kune – Vain – Tale

Drini i Lezhës nuk është një lum i rrjedhsmëm por një ujëmbledhës që përbën rrezik përmbytjesh, dëmtim të ekosistemit lagunor dhe është kthyer në një ndotës të madh. Për këtë arsye, ekspertët e mjedisit ngrejnë alarmin për këtë lum që sipas tyre nuk kryen funksionin e kullimit të ujërave dhe ka ndotje të madhe që do të krijojë rrezik ambjental të pakthyeshëm.

Eksperët Zef Imeraj dhe Jak Gjini kanë po realizojnë edhe projektin “Rrjetëzimi dhe Advokim për Aksione Komunitare të Ruajtjes së Burimeve Natyrore Lokale”, e cila mbështetet nga Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC, në bashkëpunim me Klubi Ekologjik të Lezhës, duke synuar ndërgjegjsimin e qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve. Sipas tyre, lumi Drin i Lezhës jo vetëm humbur funksionet e tij natyrore duke u bërë rrezik për përmbytje, por ndërkohë është shumë i ndotur.

Këto janë konkluzionet e identifikuara prej tyre dhe situata është krijuar pas devijimit total të rrjedhës natyrore të lumit Drin drejt lumit Buna në Shkodër. Pas kësaj ndërhyrjeje janë lënë si rrjedhë drejt Drinit në Lezhë vetëm shkarkimet e përrenjve që sjellin argjile e llumra që bllokojnë shtatratin e lumit e ndërkohë në të derdhen edhe ujërat e zeza. Studimi për këtë lum, sjellin në vëmendje pasojat që po krijohen si nga ana estetike ashtu edhe nga ana ambjentale me kërcënimet që ky lum krijon për akuaferet dhe prodhimet bujqësore.

Ekspertët bëjnë paralajmërimet e frikshme

Ndërhyrjet janë të qarta dhe për këtë ka studime edhe nga Akademia e Shkencave thonë ekspertët. Kjo ka të bëjë jo vetëm me shtimin e prurjeve dhe zgjerimin e lumit por edhe me ndalimin e hedhjes së ujërave të ndotura dhe mundësitë ekzistojnë. Aktualisht, si pasojë e këtyre problemeve nuk mungojnë aromat e forta në qytet dhe problematika që i krijon lagunave Kune – Vain për tjetërsimin e habitateve.

Eksperti Jak Gjini thotë se problematika janë vertetë të mrehta si në këndvështrimin hidroteknik ashtu edhe në rolin e saj natyror. Ai thotë se rrjedha e lumit e devijuar bëri që dekadë pas dekade të dalin në pah shumë anë negativë. Kjo bëri që17 përrenjtë malorë që shkarkojnë në magjistrale e më pas përfundojnë në këtë lum kanë bërë që atij ti humbë aftësia e largimit të ujërave drejt detit. Për pasojë argjila dhe llumrat që shpërlajnë faqet natyrore, edhe ato të degraduara nga prerjet e pyjeve, të bllokojnë në përqindje të madhe shtratin e lumit Drin që tashmë është kthyer në një magjistral kullues. Sipas normave teknike, që ky magjistral kullues të funksionojë duhet që minimalisht të pastrohet një herë në pesë vite.

Jak Gjini: Pas studimit të bërë nga Akademia e Shkencave në vitin 2004 që solli edhe një ndërhyrje, u lanë segmente të papastruara dhe nuk u shkarkua një sasi ujërash e quajtur si porta ekologjike që do të sillte një rrjedhë të lumit të vertetë të Drinit. Gjithë kjo sipërfaqe që përfshin zona të banuara apo bujqësore krijoi përmbytje nga lumi. Kjo u vu re në situatën e krijuar nga rreshjet e fundit pa përmendur edhe ndikimin e baticave detare që janë dyfishuara dhe përshkak se pjerrësia e lumit Drin të Lezhës është e vogël dhe presioni i shkarkimeve bëri që kanali i Fildanës në Manati të shkarkojë me vështërsi ujërat e për pasojë duke krijuar përmbytje.

Nisur nga kjo situatë, Klubi Ekologjik Lezhë në kuadër të projektit për mbrojtjen e Deltës së Lumenjve, pikërisht në zonën e Kune – Vainit, ka bërë evidentimin e buxhetit të ndotjes nga ku rezulton se janë pika të panumërta si në zonat rurale ashtu edhe në qytet duke përqëndruar ujërat e zeza dhe ato të përdorura, dhe duke qënë se rryma e ujit është shumë e dobët, që në verë krijon edhe një erë të rëndë, krijon ndikim negativ në zonën e Vainit që është i lidhur edhe me grykëderdhjen e lumit. Ky ndikim ul ndjeshëm kapacitetin absorvues që kanë ujërat e lagunës si funksion natyror për pastrimin e ujërave të ndotura apo në amortizimin e përmbytjeve.

Klubi Ekologjik Lezhë, nëpërmjet Zef Imeraj, flet për disa problematika të tjera që sipas tij nëse nuk ndërhyhet në kohë të shpejtë, atehërë do të përballemi me fenomene negative të pakthyeshme.

Zef Imeraj: Duke qënë së në investimet e bërë në kaskadën e Drinit ndryshoi edhe mënyra e anës negative të lumit që përshkon Lezhën. Përmbytjet e këtij lumi nuk janë më me vërshim dhe për këtë arsye administrate shtetërore e ka më të thjeshtë për menaxhimin e plotave që arrijnë deri në 3 mijë metër kub në sekondë.

Pjesa e Lezhës ka mbetur si kanal i madh i grumbullimit të ujërave të basenit të tij. E gjithë sipërfaqja e basenit të lumit Drin në Lezhë është e agresuar si pasojë e përdorimit të pakontrolluar i outputeve bujqësore apo herbicideve apo plehrave kimit në bujqësi që ndosin edhe këtë lum. Nga mos ndërhyrjet sistematike gjatë 30 viteve për menaxhimin e kanalit të këtij Drini, depozitimi i aluvioneve nga kanalet e ujërave të larta, dëmtimi i pritave malore ka bërë që të mos jetë një atraksion natyror por një rrezik përmbytjesh.

Për këtë arsye, Klubi Ekologjik Lezhë dhe shoqëria civile e ndërgjegjsuar tashmë nga aksionet tona, i bën thirrje strukturave përgjegjëse që të ndërhyjnë për rivitalizimin e këtij lumi dhe ndalimin e plotë të hedhjes së ujërave të zeza, jo vetëm të banorëve por të të gjithë kompanive që operojnë pranë këtij baseni dhe depozitojnë mbetje të ndryshme që krijojnë një dëm të madh.

Kemi dy fenomene shumë negative, së pari që të mos kemi ujë të pastër të akuafere dhe së dyti të kemi prodhime bujqësore që do të ndikojnë në shendetin e popullatës. Për këtë arsye, studimi i kryer nga KEL dhe studimi i Akademisë së Shkencave janë fokusuar në rivitalizimin e këtij lumi që çdo administratë duhet t’a ketë luks për ta bërë, zgjerimin e lumit dhe shtimin e prurjeve në të si dhe ndalimin e erozionit detarë. Në këtë mënyrë ndalojmë ndotjet, pastrojmë ujërat dhe lumi kthehet në një burim natyrore të shfrytëzueshëm nga qytetarët e saj.

Nëse nuk ndërhyhet, në mënyrë të vazhdueshme do të kemi fenomene si përmbytjet, pasi dëmi nuk krijohet nga ardhja e ujit në mënyrë të menjëhershme por nga mos evadimi i tij në kohë të shpejtë dhe mbi të gjitha duke qënë i ndotur dhe duke qëndruar gjatë atëherë efektet shtohen. Kjo sepse janë mbi 300 puse të hapura që do të ndoten dhe do të vijë një kohë kur nuk mund të ndryshohet më situate. Do të kemi shpërndarje të aromave të këqija dhe fakt është rikthimi i qakallit në lagunë pasi ka evidentuar kërma që kanë ngordhur si pasojë e ndotjes.

Insticionet publike në Lezhë ende nuk kanë dhënë zgjidhje për këtë situatë të krijuar. Nuk mungojnë reagimet e qytetarëve dhe shoqërisë civile që kërkon që situata të ndryshojë dhe nxitja po vjen, pasi tashmë ekzistojnë edhe zgjidhjet.

More in Aktualitet