
Lumi po mbushet per te bere foto te bukura.
E quajmë sërish lumi Drin edhe pse është vetëm një ujëmbledhës i kanaleve të larta të Zadrimës dhe kolektorëve kullues që mbushin atë pikë ujë të vogël që vjen nga lumi Gjadër. Kjo ka bërë që baseni i tij të mbushtet e të jetë i papastër pasi aty shkarkohen ujëra të ndotur dhe mbetje të shumta urbane. Shtrati i këtij lumi u hap në vitin 2010 duke evituar edhe përmbytjet, pork jo nuk e ktheu atë në një lum të vlefshëm për Lezhën. Përshkak të mungesës së prurjeve pasi rrjedha e madhe e tij u ndryshua drejt Shkodres në vitin 1858, shtrati i tij vijon të mbushet.
Ky është problemi i kahershëm dhe sot ka edhe një problem të ri. Për të pastruar anët e tij nga kallamishtet, kjo sepse nuk është menduar sesi do të bëhet pastrami i tij pas ndërtimit të shëtitores, eskavatorë të vegjel gërryejnë baltën dhe barishtet në anë për ti hedhur sërish në lum. Kjo është strategjia që në fakt po mbush shtratin e lumit, ndërsa mbeturinat e krijuara përfundojnë në det.
Balta dhe kallamishtet hidhen në mes të shtratit të lumit
Prej dy vitesh shihen ndërhyrjet që kryhen nga ana e Bashkisë Lezhë për t’a bërë këtë lum të duket bukur në plan të parë dhe në foto, por që nuk ka asgjë të mirë për përspektivën e tij. Hedhja e baltës dhe mbeturinave në dy anët e tij në mes të lumit është vetëm një dëm më shumë për këtë aset ujor që mund të sherbente si element turistik për shëtitje me barka, kajakë apo kanoe.
Asnjë veprim konkret për të sensibilizuar qeverinë shqiptare për rëndësinë që ka krijimi i një mundësie që një rrjedhë e Drinit të përshkojë edhe Lezhën, të paktën gjatë stinës së thatë të verës. Duke mos patur qartësi se çfarë mund të bëhet me Drinin e Lezhës, futja e eskavatorëve për të mbushur shtratin e tij është një alarm se shumë shpejt mund të rikthehet në një lum të frikshëm, përmbytës ashtu siç ndodhi në dy dimrat e fundit. Askush nuk di të shpjegojë se perse nuk sigurohet një dragë që mund të marrë në bordin e saj dherat që krijohen gjatë dimrit dhe të mos lejohet mbushja e shtratit.
TVLEZHA FILLON PASTRIMI I LUMIT DRIN – YouTube
Ditën për diell e me foto të bukura e video propaganduese, Bashkia e Lezhës, shfaq mënyrën sesi po ndikon negativisht në këtë lum, që krahas ndotjes nga ujërat e zeza dhe mbetjet që vinë nga kanalet kulluese, tashmë po mbushet me vendime absurde për të pastruar anësoret dhe mbetjet duke i hedhur në mes të shtratit të tij. Nëse vertetë do të kishte ekspertë mjedisi të ndjeshëm për çfarë po ndodh me Drinin e Lezhës mund të kishin ngritur një zë e folur për zgjidhje, por askujt nuk i inetereson të krijojë hatërmbetje me bashkinë. Kështu do të vijojë edhe vitin tjetër e me radhë derisa shtrati të mbushet në atë masë që të kthehet në rrezik për Zadrimën, Balldrenin, Lezhën dhe Ishull Lezhën. Deri atëherë thjesht është çështje kohe që kjo të ndodhë.
