
Beteja e zgjedhjeve vendore ka nisur
Dorëheqja e Gjok Jakut si Prefekt i Lezhës duket se nuk ishte i rastësishëm. Nga kjo u kuptua që mes tij dhe kryetarit aktual të Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu, kishte një krisje të fortë. Pas largimit si prefekt, Jaku nuk ngurroi të fliste edhe më shumë për gjendjen e krijuar në Lezhë dhe të ngrinte edhe problematika. Tashmë kjo ndarje është e qartë. Gara për Bashkinë e Lezhës ka nisur dhe këtu është përfshirë edhe vet ish prefekti Gjok Jaku.
Lëvizjet e tij të para kanë nisur dhe kjo do të thotë se në zgjedhjet e 14 majit, Pjerin Ndreu do të ketë përballë edhe Gjok Jakun. Ky i fundit njihet për mbështetjen që ka në elektoratin e majtë dhe popullaritetin e tij që duket se do të jenë disa vota më pak për kryebashkiakun aktual. Për këtë arsye, partitë politike janë vendosur në garë se kush do të rrembejë këtë aset. Me shumë mundësi nuk do të ketë një përballje direkte, pasi primaret nuk i japin atij përparësi tek demokratët, por kandidati i opozitës mund të terheqë ish deputetin, ish kryetarin e bashkisë dhe ish prefektin Gjok Jaku.
Ky do të jetë edhe një test prove për vetë Jakun. Mos përfshirja e tij tek Rilindja i hap rrugë kalimit në opozitë, pasi për opozitën e bërë brenda vetë të majtës edhe ju diktua dorëheqja. Ishin deklaratat e tij që ngrinte dyshime për eficencën e OSSHEE dhe Policisë së Shtetit në parandalimin e kultivimit të kanabisit që sollën thyerjen mes tij dhe qeverisë. Në rolin e Prefektit të Lezhës, Jaku, do të ngrinte edhe shqetësime të tjera që lidheshin edhe me funksionimin e pushtetit vendor, tema që nuk mund të pranoheshin nga bashkia dhe që do të krijonte tjetër çarje ndërmjet tij dhe Ndreut.
A do të tentojë Gjok Jaku të demostrojë popullaritetin e tij!?
Lezha Press kreu edhe një sondazh mbi një përballje të mundshme mes Pjerin Ndreut dhe Gjok Jakut dhe ku u përfshinë më shumë se 2 700 qytetarë. Pas votimit të kryer online rreth 1118 votues shkuan për Gjok Jakun dhe rreth 1582 për Pjerin Ndreun. Nisur nga fakti që të dy kandidatët janë të majtë, kjo do të thotë së janë 1118 vota më pak për kryebashkiakun aktual ende pa nisur gara, ndërsa për Jakun kjo do të thotë mbështetje ende pa ju kërkuar votë lezhjanëve. Këto shifra nuk mund të shmangen lehtësisht nga partitë politike, por një bashkim i këtyre dy personazheve duket i pamundur.
Pavarsisht rezultatit final, që lidhet edhe me faktin se flitet për dy personazhe të kundërt përsa i përket angazhimeve institucionale, e ku do të monitorohej çdo votë e mundshme, për Jakun votuan një numër i madh qytetarësh të paangazhuar në detyra publike. Mbetet për t/u përcaktuar se cili do të jetë roli dhe mënyra e përfshirjes së Jakut në zgjedhjet vendore të 2023-shit, por e sigurtë që ai do të jetë aty.
