Connect with us

Politikë

Denimi per Fran Frrokaj ka sjelle reagimin e deputetes demokrate Lindita Metaliaj

Të gjithë janë të barabartë para ligjit – thotë neni 18 i Kushtetutës së Shqipërisë

 

Por, në shtetin e Edi Ramës, disa janë më të barabartë se të tjerët, taman si në romanin “Ferma e Kafshëve” të George Orwell. Kjo m’u kujtua sot kur pashë lajmin për dënimin e ish-kryebashkiakut Fran Frrokaj. Goditja selektive që po iu bëhet ish-kryebashkiakëve demokratë ka vetëm një qëllim eleminimin e kundërshtarit politik me mjete parapolitike dhe jo në betejë elektorale. Për këtë qëllim, Edi Rama po përdor drejtësinë e kapur nga ana e tij me reformën e vitit 2016.

 

Përndryshe nuk mund të shpjegohet se si Pjerin Ndreu, kryetari 6% i Bashkisë Lezhë, i përfshirë në dosjen e krimeve elektorale, promovohet, ndërkohë që duhet të ishte para drejtësisë. Nuk mund të shpjegohet se si Ulsi Manja, ministri aktual i drejtësisë, në vend të japë llogari për krimet elektorale në Dibër, sillet drejtues politik në Qarkun Lezhë. Nuk mund të kuptohet dhe s’ka se si të shpjegohet që Alqi Bllako, megjithëse i provuar për korrupsion në aferën e inceneratorëve lihet i lirë. Apo kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, firmën e të cilit mban afera e inceneratorit të Tiranës, nuk është thirrur një herë për të dëshmuar në SPAK.

Drejtesia duhet te veproje edhe per te akuzuarit e Rames

 

Unë nuk kam asgjë kundër reformës në drejtësi. Përkundrazi. Kam qenë ndër deputetet që kam votuar me bindje ndryshimin e sistemit të kalbur të drejtësisë. Por, reforma që ne kërkonim dhe besonim ishte një reformë që do të hetonte korrupsionin dhe krimin, do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë dhe do të conte para drejtësisë kushdo politikan a figurë e lartë, pavarësisht krahëve politikë, që kishte tradhëtuar besimin e qytetarëve.

 

Fatkeqësisht kjo nuk po ndodh. Ne shohim sot një drejtësi që funksionon me regji qëndrore, sa herë që Edi Ramës dhe qeverisë së tij, i duhet një kokë kurbani, sistemi vihet në funksionin e tij, herë me kërcënime e telefonata ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, herë me miklime në institucionet e vetting-ut, e herë me përfitime të tjera.

 

Praktika të tilla duhet të marrin fund. Partia Demokratike duhet të ngrejë fort zërin dhe të prezantojë një platformë për sistemin e drejtësisë, sic i takon një vendi anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian.

 

Kushdo që e meriton le të shkojë para drejtësisë, ama kushdo, dhe jo vetëm kundërshtarët politikë në burg, e aleatët politikë në pozicionet më të larta shtetërore. Nëse drejtësia do të funksiononte, Edi Rama, Erion Veliaj, Ulsi Manja , Pjerin Ndreu dhe shume te tjere qe u bene vegla qorre te tyre duhet të ishin sot përpara prokurorëve e gjyqtarëve duke dhënë llogari për paligjshmëritë, abuzimet dhe arbitraritetin e tyre.

Padyshim ndëshkimin e merituar do t’ua japë vota e lezhjanëve në zgjedhjet vendore të vitit 2023.

More in Politikë