Connect with us

Aktualitet

Asnjë fjalë nga 6 kandidatët e primareve në 4 ditë përmbytje në Lezhë

Ose bashkia ka punuar shumë mirë, ose presin dhurata në zgjedhje.

 

Duket e habitshme, por kandidatët e primareve të opozitës për Bashkinë e Lezhës nuk thanë asnjë fjalë për situatën e krijuar si pasojë e përmbytjeve. Megjithëse jetojnë (shumica prej tyre) në këtë Njesi Vendore, ka munguar reagimi qoftë edhe për të dhënë zgjidhje nëse ata do të jenë nesër kryetar bashkie. Prej disa ditësh, rajoni i Lezhës është përballur me situatën e përmbytjeve dhe dëmëve në bujqësi, blegtori dhe banesa, por kjo nuk ka përberë ngjarje për kandidatët e primareve.

 

Asnjëri nuk doli në terren për të analizuar situatën dhe ndoshta për të përgatitur programin nëse do të jetë kandidat në zgjedhjet vendore të 14 majit 2022. Kjo ndoshta sepse kandidatët nuk do të paraqesin asnjë program pasi janë duke kërkuar aleancat që në fund do të jenë sërish në kurriz të qytetarëve. Aq më keq kur mendon se nuk përdorën rrjetet e tyre sociale për të bashkëbiseduar me qytetarët që më vonë do t’u kërkojnë votën. Reagim në fakt nuk pati as nga vetë Partia Demokratike e Lezhës duke lënë në përballje vetëm bashkinë dhe banorët e prekur.

Dikush duhet ti sqarojë lezhjanët edhe për këtë

 

Arsyetimi mbetet të deklarohet nga kandidatët, por dyshimet janë se ose ata nuk kanë asgjë për të thënë ndaj bashkisë për mënyrën e menaxhimit, ose secili pret dhuratën e marrjes së karriges së kryeqytetarit të Lezhës. Në fakt nuk duket shumë e habitshme kur mendon se askush nuk i bën opozitë Bashkisë Lezhë dhe në fakt opozitarizmi vetëm sa rrit efektshmërinë e institucioneve publike. Përballja e vetme është ndërmjet banorëve dhe administratës dhe opozitën ja kanë besuar gazetarëve. Këta të fundit edhe pse intimidohen, kërcënohen dhe gjykohen nga pushtetet, vazhdojnë të paraqesin realitetin që shumë herë është i hidhur.

 

Të jesh zëri i qytetarëve është obligimi më i rëndësishëm për të treguar se ata janë të parët. Një avokat, një futbollist, një futbolldashës, një mjek dhe dy urbanistë kërkojnë të jenë kryetar në Bashkinë e Lezhës dhe përballë do të kenë një polic, por asnjëri prej tyre duket se nuk meriton të jetë prijësi i këtij qyteti që do punën dhe ka nevojë të marrë zgjidhje. Lezha përmbytet çdo vit dhe ky problem duket se nuk do të marrë zgjidhje e ndërkohë fermerët do të demoralizohen për të mbjellë e për të krijuar ferma blegtorale.

More in Aktualitet